Ditën e sotme, kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, doli në një konferencë për shtyp, ku komentoi zhvillimet e fundit lidhur me përplasjen mes tij dhe Endrit Shabanit të Nismës Thurje, për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni në zgjedhjet e 11 majit.
Pas fjalës së tij, Lapaj iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, ku një prej tyre i tha se sa do që mundohen ta shmangnin sjelljen e politikës së vjetër, me këtë që ndodhi janë bërë pikërisht si ata.
“Ne po rritemi dhe zhvillohemi me një model gare, këtë frymë duam. Unë dhashë mirëbesim dhe konsensus në këtë garë. Ndodh që rrugës dikush mund të çmendet, mund të të tradhtojë. Them mund, sepse nuk e provoj dot. Problemi nuk është i mandatit, por i moralit politik, ne dua të sjellim një model të ri. Rruga paska qenë më e vështirë se e mendoja. Sistemi e ka të padiskutueshme që ta sulmojë këtë lëvizje, se jemi më të sulmuarit. Ka një pikë që më trishton më shumë se të gjitha. Shabani nuk është një koleg politik për mua, është një shok që shkakton dëm të madh me këtë lloj sjellje, tek besimi për një politikbërje më të mirë në Shqipëri,” tha Lapaj.
