Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka folur sot për herë të parë në “Breaking” Top News, pas lirimit nga arresti i shtëpisë me garanci pasurore.
Malltezi tha se nga i gjithë ky proces, i vjen keq që nuk ka mundur të jetë pranë fëmijëve të tij. Ai tha se është burgosur për tokën e tij, duke shtuar se nga prona ka marrë vetëm 8%. Ai tha po ashtu se brenda ditës i janë sekuestruar pasuritë që sipas tij, janë krijuar kur ishte pjesë e OKB-së.
“Unë kam 4 fëmijë, djali tashmë është në adoleshencë. Vajzat jetojnë jashtë dhe nuk e konceptojnë dot heqjen e lirisë pa akuzë dhe pa prova. Më vjen keq që nuk iu jam gjendur pranë. Por janë vështirësi që jeta t’i vendos përballë dhe unë kam vendosur të përballem.
SPAK-ut i ka rënë tymnaja e akuzave. Janë depozituar 3 çështje për mua në Strasburg dhe shumë shpejt do shihen rezultatet. Këto kanë ndikuar në lirimin tim.
Unë kam qëndruar 20 muaj i ndaluar, kanë ndryshuar shumë gjëra. Mu sekuestruan pasuri që unë i kam bërë kur isha pjesë e OKB-së. U sekuestruan brenda ditës mbi 70% e pasurive, llogari bankare, pronat që i kisha blerë kur isha pjesë e OKB-së dhe gjithçka tjetër.
Unë kam kërkuar që Rama të vijë dëshmitar në gjyq sepse ka qenë kryebashkiak. Gjyqtarët kanë patur frikë ta thërrasin. Unë kam bërë dhe padi penali sepse ka shpërdoruar detyrën. Rama ka firmën në çdo gjë. Në lejen e ndërtimit, etj.
SPAK nuk po e mbron interesin publik. 4 prokurorë i ka promovuar Taulant Balla. Unë jam në tokën time dhe u burgosa për tokën time. Jam brezi i tretë që burgosem për tokën time. Daja im është burgosur për këtë, nëna ime është internuar dhe unë jam brezi i tretë që burgosem. Unë kam marrë vetëm 8% të pronës time, 92% është vjedhur.”– tha Malltezi.


