Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot, me anë të një ceremonie solemne, një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë shqiptare, Prof. As. Dr. Tritan Kalo, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”: “Me mirënjohje për kontributin e vyer intelektual dhe profesionalizmin e lartë, thjeshtësinë dhe humanizmin e shquar në kryerjen e detyrës fisnike të mjekut. Në vlerësim të përkushtimit, vetëmohimit të jashtëzakonshëm dhe kontributit të paçmuar të dhënë në përballje me pandeminë botërore.”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve, personaliteteve të fushës së mjekësisë, Ambasadorit të Delegacionit të BE, Sh.T.Z Luigi Soreca, si dhe të ftuarve të tjerë, Presidenti Meta u shpreh: “Për çdo jetë që shpëtohet, pas çdo buzëqeshje, pas çdo shprese në zemër, gjendet një mjek apo një mjeke, që punon pa u lodhur. Ndaj, jam i lumtur të vlerësoj një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë sonë, në fushën e sëmundjeve infektive, një njeri fisnik në të gjithë punën dhe personalitetin e tij, Prof. As. Dr. Tritan Kalo”.

“Ai njihet nga të gjithë si një mjek jo konformist, me integritet të lartë i pasionuar pas shkencës dhe librit, i karakterizuar nga një profesionalizëm i lartë, me një thjeshtësi dhe humanizëm të dalluar në kryerjen e detyrës. Përkushtimi i tij në mënyrë të veçantë, gjatë pandemisë Covid-19, ka qenë tepër i dukshëm dhe i vazhdueshëm, duke merituar duartrokitjet e të gjithëve, për atë përkushtim shembullor.  Me profesionalizëm, humanizëm, ai punoi dhe ndihmoi, për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve tanë, duke u kujdesur për shëndetin e tyre nga mbarë vendi. Beteja kundër Covid-19 kishte në vijë të parë të frontit bluzat tona të bardha, mjekët dhe infermierët tanë, heronjtë e vërtet  të Shqipërisë, shumë prej të cilëve, për fat të keq humbën edhe jetën e tyre në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Ndaj edhe në sajë të punës dhe kontributit të tij të çmuar në informimin e gjerë ndaj opinionit publik mbi pandeminë, dhe shërbimit të tij ndaj qytetarëve të prekur nga Covid-19, Profesor Kalo mori mirënjohjen jo vetëm të  mbarë vendit, por edhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi” në Gjirokastër, Elbasan dhe Kuçovë”, theksoi Meta në fjalën e tij

“Hero është ai që e ka përkushtuar jetën e tij për diçka më të madhe se vetja. Ndaj ne krenohemi me Profesor Kalon, dhe të gjithë mjekët dhe infermierët e vendit tonë, të cilët edhe në kushte të vështira e me mungesa të shumta mjetesh e pajisjesh mjekësore, vazhdojnë me përkushtim të tregojnë heroizmin e tyre të pashoq duke shërbyer me zell e me profesionalizëm në mbrojtje të shëndetit publik”.

Reagimi i doktor Kalos

Doktori i njohur Tritan Kalo që shpeshherë ka qenë edhe tejet kritik ndaj klasës politike gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se ky vlerësim i takon të gjithë bluzave të bardha, atyre mjekëve dhe infermierëve që nuk u përpoqën ta shkelin betimin e Hipokratit. 

“SOT në PRESIDENCË, Presidenti i Republikës z. Ilir META më nderoj me titullin e lartë “MJESHTËR I MADH”….Fjalët e Presidentit të Republikës, të Ambasadorit të Bashkimit Europian z. Luigi Soreca, dhe të kolegëve: Dr. Tatjana Manaj, Dr. Sabahet Dedja, Dr. Rustem Celamit ishin mjaft domethënëse e vlersuese, për kontributin tim jo vetëm në këto Kohë kovidiane por përgjatë 40 viteve, të udhës sime si MANTELBARDHË….Ju jam shumë mirënjohës për fjalët tuaja jo pak mikluese në lidhje me Punën, Përkushtimin dhe Profesionalizmin tim…. Kurdoherë jam përpjekur dhe do vijoj të përpiqem për të qënë kurdoherë vetvetja, mjeku jo konformist dhe i gatshëm për të dhënë më të mirën time të mundshme në çdo rrethanë dhe për këdo që troket në derën e “mëndjes” dhe të profesionalizmit tim….Nderimi u përket të gjithë atyre që KURRË NUK TUNDOHEN PËR TË NJOLLOSUR BARDHËSINË E MANTELIT të një profesionisti vijues i Betimit të Hipokratit….Together forever!!!”, shkruan mjeku i njohur.