Gjykata e Posaçme ka pushuar gjykimin e çështjes penale ndaj Xhelal Mziut, i kallëzuar për shpifje nga ish-kryebashkiaku i Matit dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Agron Malaj.

Sipas vendimit të GJKKO-së, gjykimi është pushuar për shkak të mosparaqitjes në proces të palës akuzuese, Agron Malaj, si dhe të avokates së tij mbrojtëse, pa paraqitur shkaqe të arsyeshme. Çështja ishte regjistruar me nr. 30/101, datë 05.06.2025 dhe kishte të bënte me akuzën për veprën penale të “Shpifjes”, të parashikuar nga neni 120, pika 2 e Kodit Penal.

Padia ishte depozituar pas një deklarate publike të bërë nga Xhelal Mziu një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku ai pretendoi se një automjet po shpërndante para për blerje votash në favor të Partisë Socialiste.

Me këtë vendim, Gjykata e Posaçme e konsideron të mbyllur çështjen për shkak të mungesës së palës akuzuese në seancë.