Altin Dumani kërkon ndryshimin e vendimit të KPK-së: Të shkarkohet kreu i Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj Në seancën e mbajtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) ndaj kryeprokurorit të Lezhës, Erion Shehaj, kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili përfaqëson Institucionin e Prokurorit Publik, ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.
Një çështje e prekur nga kreu i SPAK lidhet me arrestimin e një personi që është kapur me hashash e lëndë plasëse. Dumani shprehet se Shehaj e ka dërguar çështjen për gjykim dhe personi është dënuar me 6 vite burg. Për këtë çështje janë kërkuar shpjegime nga ana e KPK dhe Shehaj ka dhënë shpjegimet e tij.
Dumani ka përfunduar duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Erjon Shehajt.
“Në këtë dosje nuk janë bërë hetime, ku e mori drogën personi, ku do ta çonte atë? A jemi përpara veprave penale të kryera në bashkëpunim? Ku e mori lëndën eksplozive? Vetë e montoi? Nëse e montoi vetë, duhet provuar. Personi kishte rrezikshmëri shoqërore dhe dënimi ishte i ulët. Kërkoj ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Erion Shehaj”, ka deklaruar Dumani.



