Greta Gjoci ka lënë qelinë dhe është rikthyer pranë familjes së saj së bashku me foshnjën, pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme që ndryshon përkohësisht situatën e saj me drejtësinë.
Sipas gazetares Anila Hoxha, GJKKO ka vendosur shtyrjen për një periudhë njëvjeçare të ekzekutimit të dënimit ndaj Gjocit. Vendimi i ka mundësuar asaj të dalë nga burgu dhe të qëndrojë në banesë me fëmijën e vogël.
Çështja është trajtuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ndërsa në seancë ka marrë pjesë edhe avokati i saj, Jurgen Boçi.
Ky i fundit ka deklaruar se ka vendosur të ndërpresë bojkotin e avokatëve për të qenë i pranishëm në proces, për shkak të rrethanave familjare të rastit.
Gjoci është një prej personave të dënuar në dosjen që lidhet me aktivitetin e call center-ave. Ajo është dënuar me 6.8 vite burgim.
Rasti i saj kishte marrë vëmendje të veçantë publike pas dërgimit në qeli së bashku me foshnjën e saj.
Me vendimin e fundit të GJKKO-së, ekzekutimi i dënimit nuk do të vijojë për një vit, ndërsa Gjoci dhe fëmija i saj janë larguar nga ambientet e burgut dhe janë kthyer në banesë.
