I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ndodhet në repartin e reanimacionit të kardiologjisë. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai po merr trajtim të specializuar pas komplikacioneve me zemrën të shfaqura një ditë më parë.
Duke marrë parasysh rolin e tij si dëshmitar kyç në disa nga dosjet më të rëndësishme të SPAK, mjekët po kryejnë analiza të thelluara për të përcaktuar gjendjen e plotë shëndetësore, por edhe për të përjashtuar ndonjë tentativë kriminale, përfshirë mundësinë e helmimit.
Dumani u transportua në QSUT mbrëmjen e djeshme nën masa të rrepta sigurie nga Forcat Speciale të burgjeve, ndërsa zona e urgjencës u rrethua nga forcat RENEA.
I konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë, deklaratat e Dumanit kanë qenë vendimtare për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale dhe shpërbërjen e disa prej grupeve më të fuqishme të krimit të organizuar në Shqipëri.