Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka lënë Spitalin e Traumës pas dëmtimit që mori gjatë përplasjes së fundit me policinë dhe është rikthyer para kryeministrisë.

I rrethuar nga disa qytetarë, Lapaj tha se nuk do të dorëzohet, edhe nëse do i duhet të qëndrojë mes të ftohtit, pa ngrohje e çadër. Ai theksoi se përgjatë gati një muaji në bulevard, nuk ka penguar as trafikun, por nuk është dëmtuar asgjë, nuk është thyer asnjë xham apo shkulur një pemë dhe lule. Duke nënvizuar se do të dilte në shesh edhe sikur të procedohej po përditë, ai kujtoi se Rama ishte i pari që e nisi çadrën e madhe në Bulevard.

“Nuk ka asnjë qytetar në Tiranë që të thotë nuk shkova dot në punë se më pengoi Adriatiku, apo nuk shkova dot në vaki apo dasmë, nuk e ka thënë askush. Jeni dëshmitarë, a kemi thyer një lule, a kemi hedhur molotov, a kemi shkulur pemë, a kemi lënë mbeturina pas? Asgjë nuk kemi dëmtuar, kurse këta dhunë! Pse nuk vjen kur janë shumë protestues, por e bën kur janë pak? Sepse është frikacak! Kurse Rama vetë ishte ai që nisi çadrën e madhe këtu, ishte i pari. Dhe çfarë bëjnë sjellin policinë këtu, sulmoi njerëzit, por fal Zotit nuk ndodhi gjë. Se të kishte ndodhur do e shikonte ky, trimi i madh. Se trimi i madh ky! Ka vjedhur, e thotë prokuroria, s’e themi ne. S’na lënë as çadër, as ngrohëse, asgjë, por unë dhe ne do vazhdojmë të qëndrojmë këtu, në të ftohtë. Këta le të vijojnë të na procedojnë, le të më procedojnë edhe mua çdo ditë”-, u shpreh ai.