Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte para Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, disa persona të shoqëruar dhe të lënduar, mes tyre edhe efektivë të Policisë së Shtetit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi dënoi aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, deputetëve dhe institucioneve publike, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore.
“Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve të Kuvendit apo institucioneve publike. Shqipëria ndërtohet mbi dialogun, respektin për ligjin dhe institucionet, jo mbi përplasjen. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kur protesta shndërrohet në dhunë ndaj njerëzve, cenon jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe vetë vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia. Solidaritet i plotë me efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim sa më të shpejtë. Të papranueshme sulmet ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Asgjë e mirë nuk ndërtohet prej dhunës dhe kaosit”-, shkruan Peleshi.

