Rezarta Alla nuk do të jetë më drejtoresha e përgjithshme në Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.
Burime pranë Top Channel bëjnë me dije se ditën e djeshme ajo ka qenë e detyruar për të paraqitur dorëheqjen, për të shmangur shkarkimin pas transmetimit në edicionin informativ në TCH për konfliktin e interesit që kishte, duke shitur në pozicionin e drejtueses arsimore tekste shkollore me autorësi të gjuhës shqipe.
Por duket se ka shpëtuar nga largimi, zv ministrja Orjana Osmani, e cila rezulton të ketë firmosur edhe për vetë emrin e saj në listën e teksteve shkollore, si autore teksti e letërsisë së klasës së 11. Ndërkohë që, ministrja e arsimit e sapo emëruar, Mirela Kumbaro, mësohet se është ulur në zyrën e re të premten e javës së shkuar, por ende pa lëvizur stafin e sjellë nga ministrja e mëparshme, Ogerta Manastirliu.
Ende në fillim të detyrës, do duhet pritur se cilat do të jenë ndryshimet e saj në vijim, nëse do të ketë dorëheqje të tjera apo shkarkime./ Top Channel