Një nga protestuesit e mbledhur përpara Kryeministrisë kundër projektit turistik në Zvërnec ka lëshuar akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përçan qytetarët dhe po shpërfill zërin e një pjese të shqiptarëve.

Gjatë fjalës së tij në protestë, qytetari u shpreh se shqiptarët janë të lodhur nga qeverisja aktuale dhe kundërshtoi deklaratat e Kryeministrit lidhur me mbështetjen elektorale.

“I ke lodhur shqiptarët sa që tani e vetmja punë që di të bësh është të na shkatërrosh. Tha diçka tjetër sot, ‘u drejtohem vetëm atyre që më kanë votuar’. I pacipë! Çfarë të dukemi ne, dele? Ne jemi shqiptarë”, deklaroi ai para protestuesve.

Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit, të cilët vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec.

Protesta po vazhdon përpara Kryeministrisë, ndërsa organizatorët dhe aktivistët kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin kundër investimit që, sipas tyre, cenon zonën e mbrojtur dhe interesin publik.