Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Mario Çelën, i cili u ekstradua së fundmi nga Belgjika drejt Shqipërisë. Ai është vëllai i Suel Çelës, i cili vijon të jetë person në kërkim.

Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Suel Çela dyshohet si drejtues i një organizate kriminale të përfshirë në aktivitete të rënda penale, përfshirë vrasje, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsion dhe pastrim parash.

Nga hetimet rezulton se anëtarë me role kyçe në këtë strukturë kanë qenë të angazhuar në planifikimin dhe realizimin e veprave penale, si dhe në organizimin e rrjeteve të trafikut të drogës.

Sipas dosjes hetimore, grupi ka tentuar të trafikojë sasi të konsiderueshme kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës. Bëhet fjalë për një tentativë për trafikimin e rreth 930 kilogramë kokainë nga Ekuadori në dhjetor 2020, si dhe një tjetër rast në janar 2021, ku dyshohet për tentativë trafikimi të 466 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Holandës.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.