Vëllai i Suel Çelës, Mario Çela, ka përfunduar në spitalin e burgut pasi ka shfaqur probleme mjekësore gjatë qëndrimit në qeli. Sipas informacioneve, 42-vjeçari është transferuar në spital, ku ka marrë kujdesin e nevojshëm. Ai kishte ardhur nga Belgjika me një epikrizë mjekësore, e cila vërteton gjendjen e tij shëndetësore.

Po ashtu, Mario Çela ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar që të kalojë nga paraburgimi në “arrest shtëpie”.

Mario Çela u arrestua në Belgjikë, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që vepronte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të Bashkimit Europian. Ai dyshohet gjithashtu për përfshirje në vrasjen e Bledar Muçës, i konsideruar si krahu i djathtë i Ardian Çapjas, i cili sipas hetimeve ishte vënë në shënjestër nga grupi i Suel Çelës.

Grupi kriminal i drejtuar nga Suel Çela dyshohet të ketë pasur lidhje me veprime të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Hetimet e SPAK kanë dokumentuar se organizata ka tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Evropës. Po ashtu, janë regjistruar tentativa për trafikimin e 930 kg kokainë, si dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori në Holandë në janar 2021.