Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën “arrest me burg” për Aleks Ndrekën, i njohur si “Leksi i Druve”. GJKKO konfirmoi masën e sigurisë vetëm dy ditë pas ekstradimit të tij nga Italia.
Ndreka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, si i dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e tre shtetasve në vitin 2017.
Kush është Aleks Ndreka?
Aleks Ndreka konsiderohet një personazh i njohur në botën e krimit, kryesisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe ndaj tij ishte caktuar më herët masa “arrest me burg” në mungesë.
I njohur edhe si “Leksi i Druve”, Ndreka ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Sipas dosjes hetimore të SPAK, është tentuar edhe eliminimi i tij me dron. Dyshohet se ish-deputeti kërkonte eliminimin e Ndrekës, pasi e konsideronte të përfshirë në vrasjen e të vëllait.
Në këtë episod përmenden edhe persona të tjerë, mes tyre nipi i Ndokës, Samueli, si dhe Arjan Tuku dhe Vinsent Tuku.
