Është lënë në burg Vilson Pepa, i cili u ekstradua drejt vendit tonë nga Punta Cana, dy ditë më parë.

Ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë “Arrest me burg” dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e la të pandryshuar. Ndërkohë gjatë seancës, Pepa është shprehur përpara gjyqtarit të çështjes se ai donte të vinte vetë në Shqipëri për tu përballur me drejtësinë.

41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar më herët ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Pepa ishte pjesë e grupit kriminal të vëllezërve Çela dhe Çopja, të cilët trafikonin kokainë nga Amerika Latine, drejt vendeve të Evropës.  SPAK arriti të godiste një ngarkesë prej 28 tonësh kokainë, duke arrestuar dhe pjesëtarët dhe drejtuesit e grupit.