Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për protestuesin Erald Heqimaj. 33-vjeçari u arrestua për incidentin në Komisariatin Nr. 3 gjatë protestës kombëtare të 4 korrikut. Ai është liruar nga qelia me masën “detyrim paraqitje”, masë sigurie e kërkuar edhe nga Prokuroria, e cila u pranua edhe nga togat e zeza.

Mbrëmjen e së shtunës, kur protesta e 35-të ishte thuajse në përfundim, Heqimaj, së bashku me disa persona të tjerë të shpallur në kërkim, sulmoi dyert dhe dritaret e Komisariatit nr. 3, pranë ambienteve të pritjes së qytetarëve. Ai rezulton pa precedentë penalë të mëparshëm, ndërsa në dëshminë e tij paraprake ka deklaruar se reagoi me akte dhune i ekzaltuar nga fryma e turmës, e cila gjatë gjithë protestës pati në fokus kërkesën për lirimin e 19 të arrestuarve pas përplasjeve te Parlamenti.