Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Kanada, pasi një shtetas shqiptar mbeti i vrarë pas një atentati me armë zjarri në zonën e North York, në Toronto.
Viktima është identifikuar si Paulin Harusha, 43 vjeç, me origjinë nga Shkodra dhe baba i dy fëmijëve.
Ngjarja ndodhi natën vonë gjatë fundjavës, pak para mesnatës, në sheshin mes Victoria Park Avenue dhe Sheppard Avenue East, një zonë e populluar e qytetit.
Sipas informacioneve të policisë kanadeze, oficerët e patrullës mbërritën menjëherë në vendngjarje pasi morën raportimet për të shtëna me armë zjarri. Ata gjetën Harushën të plagosur rëndë dhe, pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor për ta shpëtuar, ai u shpall i vdekur në vend.
“U morën masa për shpëtimin e jetës, megjithatë, për fat të keq, viktima u shpall i vdekur në vendngjarje,” deklaroi inspektori Jonathan Rose për mediat kanadeze.
Autoritetet kanë bërë me dije se autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip SUV me ngjyrë të çelët. Hetuesit po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e tyre, ndërsa nuk përjashtohet asnjë pistë, përfshirë atë të një atentati të mirëorganizuar.
Ky është rasti i 31-të i vrasjes me armë zjarri në Toronto për vitin 2025, një statistikë që pasqyron një rritje shqetësuese të dhunës në disa zona të qytetit.
Familja e Harushës, e tronditur nga lajmi i rëndë, ka kërkuar drejtësi për humbjen e të dashurit të tyre, ndërsa komuniteti shqiptar në Toronto ka shprehur ngushëllime dhe solidaritet përmes rrjeteve sociale dhe organizimeve në mbështetje të familjes së viktimës.
Policia u bën thirrje qytetarëve që kanë informacion apo pamje nga kamerat e sigurisë në zonë të kontaktojnë autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.