Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u ekzekutua me armë zjarri një ditë më parë në fshatin Guci e Re, njësia Rrethina, Shkodër. Deri më tani, policia ka shoqëruar rreth 20 persona, përfshirë komshinjtë, individë që mund të kenë dijeni për viktimën, si dhe të tjerë të njohur si problematikë në zonë.
Pavarësisht marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ende nuk është identifikuar një autor i dyshuar dhe motivet e vrasjes mbeten të paqarta. Familjarët kanë deklaruar se nuk e kanë idenë se kush mund të jetë përgjegjës, pasi nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm.
Pavlin Preka jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë së Re bashkë me babain dhe vëllain e tij, duke u marrë me bagëti. Ai kishte vetëm katër ditë që ishte kthyer në shtëpi kur u vra. Viktima është ekzekutuar me gjashtë plumba me armë zjarri pistoletë në trup. Gëzhojat e sekuestruara nga grupi hetimor ndodheshin pranë njëra-tjetrës, duke sugjeruar se ai është qëlluar nga një distancë e afërt.
Trupi i pajetë u gjet në oborrin e shtëpisë nga xhaxhai i tij, Nikollë Preka, pasi i riu nuk u përgjigj në telefon për të ngrënë drekë. Duke menduar se mund të ishte në gjumë, xhaxhai shkoi në banesë dhe e gjeti të shtrirë pa shenja jete. Menjëherë njoftoi policinë, e cila nisi hetimet.
Dëshmitë e komshinjve tregojnë se askush nuk ka dëgjuar të shtëna, duke ngritur dyshimet se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator. Për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë në zonë, policia dyshon se autori ka ardhur dhe është larguar në këmbë përmes arave, duke shmangur gjurmët.