Autoritetet në Elbasan kanë dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e biznesmenit Edmond Mondi Mëhalla, duke vënë në qendër të hetimeve 35-vjeçarin Oklid El Ouejdi, i njohur me nofkën Kiço ose Oliver. Sipas informacionit të Policisë së Shtetit, El Ouejdi, nip i personazhit të njohur Timit të Elbasanit, dyshohet se ka organizuar dhe financuar atentatin ndaj Mëhallës, që ndodhi pas një konflikti të vazhdueshëm mes dy personave.
Sipas hetimeve, konflikti ka nisur nga një marrëveshje tregtare të papërfunduar mes Mëhallës dhe El Ouejdit, me vlerë 700 mijë euro. Rreth 10 ditë para vrasjes, Mëhalla ka ushtruar dhunë fizike ndaj El Ouejdit në karburantin Xhaxhi Oil, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me detyrime financiare. Për të shmangur këtë detyrim, El Ouejdi kishte ofruar katër apartamente në Tiranë, të cilat kishin probleme me pronësinë, duke i shtuar tensionet mes dy palëve.
Më 10 ditë pas këtij incidenti, Mëhalla u qëllua me tre plumba dhe u vra në mënyrë profesionale. Pas vrasjes, autorët dogjën makinën tip Audi, e cila u përdor në krim. Mëhalla, i njohur në qytet si “Hyka”, ishte mik i ngushtë i Kei Piut.
Për momentin, janë arrestuar tre persona: Nevzat Nevi Spaho, i dyshuar si shoferi që ndihmoi autorin të largohej; Kujtim Pisha, punonjës karburanti, për mosparaqitje të informacionit; dhe Xhino Ago, ortak i Mëhallës, i akuzuar për mosndryshimin e pronësisë së makinës që u përdor në krim.
Ndërkohë, janë në kërkim dy të dyshuar të tjerë, Armando Kola nga Laçi dhe Marselo Arani nga Elbasani, i cili kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak për pastrim parash. Një tjetër figurë kyçe në hetime është Naldi Gjini, i cili ka identifikuar disa nga të dyshuarit dhe ka ndihmuar në avancimin e hetimeve.
El Ouejdi, i cili dyshohet se qëndron në Maqedoninë e Veriut, është personi kryesor i hetimeve dhe ka lidhje të shumta në rajon, përfshirë me Sheval Muharremin, i njohur si “Bosi i Gërçecit”. Policia ka nisur përpjekjet për kapjen e tij dhe dy personave të tjerë në kërkim, ndërkohë që hetimet pritet të sjellin zhvillime të tjera të rëndësishme në ditët në vijim.
