Ka ndërruar jetë ditën e sotme Edmond Llabani, i cili ishte komanduar si drejtor i Burgut të Durrësit më 15 janar, pas shkarkimit të drejtorit Indrit Cërrlojm, për shkak të arratisjes të Altin Ndocit.
Llabani pësoi një hemorragji cerebrale më 19 janar, kur dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT. Një muaj më vonë, Llabani u transferua për mjekim më të specializuar në Itali, pas kërkesës së familjarëve. Dy ditë më parë, bashkëshortja e tij, lutej që shoku i jetës së saj dhe babai i tre engjëjve të tyre, t’ia dilte mbanë. Por për fatin e keq ai nuk mundi që të shpëtonte.
“Mond shpirti im, duhet t’ia dalësh për ne sepse ti nuk do doje kurrë të na lije vetëm…Ne nuk dimë të bëjmë asgjë pa tu dhe nuk e duam jetën pa ty”, shkruante ajo.
Para se të komandohej në krye të Burgut të Durrësit, Llabani ishte drejtor i Burgut të Peqinit.


