Zbardhet ngjarja e dy 18-vjeçarëve, ku Klisman Dani u plagos me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Leonit Muça. Ngjarja shpërtheu pas një zënke për një fërkim të rastësishëm, e cila shpejt kaloi në një përleshje fizike.

Sipas hetimeve, Klisman Dani kishte kërkuar llogari nga Muça për një incident të mëparshëm, i cili pretendoi se kishte qenë pa dashje. Pas kërkesës për falje, Dani dhe disa shokë të tij u mblodhën për ta përballur Muçën, duke tentuar ta dhunonin gjatë një pushimi.

Muça, duke parë se pesë persona po i drejtoheshin, nxori një biçak, që sipas tij e mbante për përdorim në mësime, dhe goditi Danin dy herë në qafë. Pas plagosjes, Dani u transportua me urgjencë në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, dhe më pas në spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Fatmirësisht, ai është jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka arrestuar autorin, Leonit Muça, dhe po heton për rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas autoriteteve, arma e përdorur nuk klasifikohet si armë e ftohtë për shkak të përmasave të saj të vogla.