Policia ka identifikuar autorin e vendosjes së lëndës shpërthyese në garazhin e Ervis Kosovës, falë pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë në zonën përreth.
Sipas burimeve zyrtare, grupi hetimor ka ndjekur me kujdes itinerarin e autorit pas vendosjes së tritolit, duke rindërtuar lëvizjet e tij deri në largimin nga vendngjarja. Pas aktit kriminal, i dyshuari është futur në pyllin pranë Liqenit të Thatë, ku ka qëndruar për rreth 30 minuta, me qëllim shmangien e gjurmëve.
Më pas, ai ka dalë në një rrugicë të afërt dhe është larguar nga zona. Pamjet e mëtejshme të kamerave të sigurisë kanë mundësuar identifikimin e automjetit të përdorur nga autori. Hetimet kanë zbuluar se mjeti ishte marrë me qira në Fushë-Krujë.
Kjo ka çuar në identifikimin e autorit, i cili dyshohet se është larguar nga territori i Shqipërisë po atë ditë që ndodhi ngjarja. Policia vijon hetimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së bashkëpunëtorëve në këtë rast.
