Tre ditë pas refuzimit për t’u paraqitur në SPAK lidhur me hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit, Sali Berisha është paraqitur në ambientet e SPAK për të përmbushur masën “detyrim paraqitje”.
Përpara se të shkonte në SPAK, Berisha ka sulmuar publikisht këtë institucion, duke theksuar se nuk kishte marrë thirrje për t’u paraqitur lidhur me ngjarjen e 21 janarit. SPAK reagoi me një deklaratë zyrtare, duke e sqaruar se ftesa për Berishën ishte refuzuar dy herë nga ana e tij. Kryedemokrati ka bërë tashmë një traditë nga sulmet ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani.
Afera e Partizanit është një nga hetimet më të rëndësishme që ka kaluar për gjykim që nga 19 maji. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, duke përdorur pozitën e tij si kryeministër për të miratuar ligje dhe akte nënligjore që i kanë mundësuar përfitime ekonomike, si dhe përfshirjen e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, në një projekt për ndërtimin e 19 kullave në truallin e kompleksit sportiv. Malltezi është gjithashtu nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash, dhe akuzohet për fitime që arrijnë në 5.4 milionë euro nga ndërtimin.
