Deputeti socialist Ardit Bido u përfshi në një përplase në Kuvend me dy deputetët opozitarë Erald Kapri dhe Redi Muçi. Këta dy të fundit e akuzuan mazhorancën se po heshtin ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës, madje kryeministrin Rama e krahasuan me diktatorin Enver Hoxha. Por Bido, iu kujtoi opozitarëve se Rama i ka kërkuar presidentit Aleksandër Vuçiç në mes të Beogradit që Republika e pavarur e Kosovës të njihet si realitet. Bido e quajti partinë e Muçit, lëvizje antikombëtare, duke iu kujtuar dy partive të vogla se kur PS e PD dënonin gjenocidin grek në Çamëri, partizat e vogla zgjodhën të mungojnë.
Ardit Bido: Më vjen keq që në këtë sallë të nderuar të kuvendit ne dëgjojmë popullzimin që në fakt na vjen nga thirrjet revolucionare që kanë prodhuar vetëm gjak në histori. Popullzimi ekstrem që tenton të zhbëjë edhe historinë. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën. Diskutoi atë që ishte plani i kohës për Jugosllavinë e madhe që do përfshinte Bullgarinë dhe Shqipërinë. Sot Shqipëria, një republikë e pavarur ka kërkuar përmes Ramës në Beograd që Kosova një republikë e pavarur të njihet si realitet. Populizmi përkundrejt fateve. Dëgjuam përfaqësuesit e një lëvizje që për mua është në kufijtë e antikombëtares, të na fliste për Kosovën duke reaguar me orë të tëra vonesë, pasi kishin reaguar jo vetëm ministria e jashtme por edhe shumica e grupit parlamentar. Por kur vjen momenti për ta kthyer në fakt ata mungojnë. Spastrimi etnik është i papranueshëm në çdo rast, kur vjen fjala për spastrimin etnik në Çamëri që ky shtet e njeh si ditë gjenocidi. Partizat e vogla munguan, ku ishin përfaqësues me shumicë të PS dhe opozitës zyrtare. Ato zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi dhe spastrimi etnik, të fshihen si struci e të zhduken. Partizat e popullzimit kanë zgjedhur vetëm fjalën kur iu intereson dhe me veprime për kanë treguar se janë thjeshtë antishqiptarë.
Erald Kapri: Deklarimet janë në kufijtë e pabesueshmes. Deputeti ka fyer protestën duke thënë që rinia po udhëhiqet nga njerëz të Belerit. Nuk e pashë të reagojë kur doli me deputetët e PS në Strasburg, i nxjerrë me krenari edhe nga kryeministri. Madje socialistët votonin edhe amendamente te propozuara nga Beleri. Dhe na quajnë këta ne antikombëtar. Votojnë me Belerin në Strasburg dhe akuzojnë shqiptarët se sillen vërdallë nga Beleri. Kurrë s’kam parë nga Ruçi apo nga Balla, që të dalë të thotë që PS do të dalë dhe të shtypë. Nuk e di se si një deputet që pretendon të jetë në radhët e të rinjve të flasë me gjuhë dhune. Mbani gjuhën se e dimë se çfarë trashëgimie të dhunshme keni.
