Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës 14:50 të kësaj të shtune në një lokal të frekuentuar në qytetin e Elbasanit, ku dyshohet se një person ka tentuar të vrasë me armë zjarri një tjetër person.
Sipas të dhënave paraprake, personi i dyshuar është afruar pranë viktimës së mundshme dhe ka nxjerrë një armë zjarri, duke ia drejtuar në drejtim të tij. Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin në ambientet e lokalit.
Rrethanat e plota të incidentit mbeten ende për t’u sqaruar nga grupi hetimor, ndërsa nuk dihet nëse është qëlluar me armë apo tentativa është parandaluar përpara se të ndodhte qitja. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të plagosur.
Pas marrjes së informacionit, policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore dhe, sipas të dhënave paraprake, ka identifikuar personin e dyshuar si autor. Forcat e rendit po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetuesit po mbledhin prova dhe dëshmi për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Motivi i incidentit mbetet ende i paqartë. Grupi hetimor po verifikon nëse mes personave të përfshirë ka pasur konflikte të mëparshme apo nëse ngjarja ka ardhur për shkak të ndonjë rrethane tjetër.
