Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbardhur momentet e përplasjes së dhunshme të regjistruar sot në Sarandë, ku tre të rinj mbetën të plagosur pas përdorimit të thikave.
Ngjarja është regjistruar brenda një berberhaneje, ndërsa në video shihen momentet kur mes disa personave nis konfrontimi. Në një prej sekuencave, një i ri sulmohet papritur dhe një prej personave tenton ta godasë me thikë në pjesën e qafës. Ai arrin të shmanget në momentin e fundit, duke i shpëtuar goditjes.
Përplasja ka përfunduar me tre persona të plagosur. Bëhet fjalë për vëllezërit Elidon Shukulli, 24 vjeç, dhe Mario Shukulli, 20 vjeç, si dhe 19-vjeçarin Andi Saliaj.
Të tre u dërguan në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku iu nënshtruan ndihmës mjekësore. Për shkak të dëmtimeve më të rënda, 24-vjeçari Elidon Shukulli është transportuar më pas drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, Policia e Sarandës ka ndërhyrë pas ngjarjes dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në konflikt. Në pranga kanë përfunduar Kamelo Aliaj, 22 vjeç, Andi Saliaj, 19 vjeç, dhe Eduard Bajrami, 19 vjeç, të gjithë banues në Sarandë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkakun që çoi në përplasjen mes të rinjve.
