Detaje të rënda janë zbardhur në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur mëngjesin e sotëm në Pogradec, ku një 52-vjeçare ndërroi jetë pasi shtëpia e saj u përfshi nga zjarri.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe se Kozeta Teço është vrarë. Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, ekspertët mjeko ligjorë kanë konstatuar shenja dhune. Deri më tani, pista e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie.
52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet e pajetë sot në mëngjes në banesën e saj, e cila ishte e djegur. Paraprakisht u raportua se ajo kishte humbur jetën nga asfiksimi si pasojë e tymit. Teço jetonte e vetme pasi nuk kishte fëmijë, sepse nuk ishte martuar. Ajo jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe ndihmohej me para nga motra që ishte jashtë Shqipërisë.



