Mbetet ende i paqartë identiteti i personit, trupi i të cilit u gjet të premten në grykëderdhjen e Semanit. Ekspertiza paraprake e kryer në morgun e Fierit nuk ka mundur të përcaktojë se kujt i përket kufoma, e cila ndodhej në gjendje të avancuar dekompozimi.
Për këtë arsye, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve më të detajuara. Krahas përcaktimit të moshës, shkakut dhe kohës së vdekjes, ekspertët do të kryejnë edhe analizën e ADN-së.
Rezultatet pritet të krahasohen me materialet gjenetike të familjarëve të personave të raportuar të zhdukur në muajt e fundit. Burime nga Policia e Fierit bëjnë me dije se janë disa familje, në Fier dhe qytete të tjera të vendit, që kanë denoncuar zhdukjen e të afërmve të tyre.
Nga këqyrja fillestare mjeko-ligjore është përcaktuar se kufoma i përket një personi të seksit mashkull. Deri në këtë fazë nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune në trup.
Mjekët ligjorë kanë vlerësuar gjithashtu, bazuar në shkallën e dekompozimit, se vdekja mund të ketë ndodhur rreth dy muaj përpara momentit kur trupi u gjet në grykëderdhjen e Semanit.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe disa raste personash të larguar nga banesat, ndaj autoritetet po kryejnë verifikime për të përcaktuar nëse kufoma mund t’i përkasë ndonjërit prej tyre.
Përgjigjja përfundimtare pritet të vijë nga analiza e ADN-së, e cila do të ndihmojë hetuesit të zbardhin identitetin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes.
