Një ngjarje e rëndë ka tronditur Athinën dhe zonat përreth saj. Policia greke ka zbuluar trupin e një personi të lidhur dhe të djegur në pjesën e pasme të një automjeti në zonën e Skourtas, Viotia, pranë kryeqytetit grek.

Sipas mediave vendase, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me zhdukjen e një punëtori shqiptar ndërtimi, i cili rezulton i humbur prej katër ditësh. Burime policore bëjnë me dije se shqiptari, që jetonte në Evia dhe nuk kishte precedentë penalë, është parë për herë të fundit teksa udhëtonte drejt Vilias, ku kishte marrë në makinë një të njohur, të cilin e kishte lënë rrugës.

Automjeti i tij është gjetur i braktisur, ndërsa familjarët kanë kontaktuar me autoritetet greke dhe pritet që një prej tyre të japë ADN-në për të përcaktuar nëse trupi i gjetur i përket shqiptarit të zhdukur. Të afërmit e tij janë shprehur të tronditur, duke theksuar se ai nuk kishte konflikte apo probleme me askënd.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se mjeti ku u gjet trupi ishte i vjedhur në maj 2025 në Glifadha të Athinës dhe mbante targa të falsifikuara, të cilat i përkisnin një automjeti tjetër të së njëjtës markë dhe ngjyrë në Katerini.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se trupi ishte i lidhur me pranga nën sqetulla, që mendohet se janë përdorur për ta mbajtur të kufizuar, por për shkak të djegies ato janë shkëputur. Dyshohet se krimi është kryer rreth dy ditë më parë, ndërsa automjeti i djegur u zbulua nga një gjahtar që kalonte rastësisht në zonë.

Policia greke ka nisur hetime të gjera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve, ndërsa rezultatet e ADN-së pritet të përcaktojnë nëse viktima është shqiptari i zhdukur.