Altin Isaraj, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe ish-drejtorit të Transportit Rrugor, Arben Isaraj, është gjetur i pajetë disa ditë më parë në banesën e prindërve të tij. Ai jetonte aty që kur ishte liruar nga burgu i Rrogozhinës. Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur autoritetet po hetojnë rreth rrethanave të vdekjes së tij. Për momentin, nuk janë publikuar ende detaje të plota mbi shkakun e vdekjes, por hetimet janë duke u zhvilluar për të zbardhur ngjarjen.

Më datë 29.12.2024,  në rrugën “Çamëria”, në ambientet e banesës, është gjetur pa shenja jete, shtetasi A.I, 53 vjeç, banues në Tiranë.  Nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale”, njoftoi policia.

Altin Isaraj u arrestua nga policia më 22 tetor 2018 për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prodhim dhe shitje të narkotikëve’.

Pas arrestimit të vëllait nga Policia e Shtetit, në atë kohe dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Trasnportit Rrugor edhe Arben Isaraj.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish-deputeti i PS i ka dhënë lamtumirën e fundit vëllait të tij.

“Lamtumirë Altin!

Sot, sipas asaj që doje dhe kërkove ti, po të përcjellim pranë nënës dhe babait.

Shumë motra dhe vëllezër, shokë dhe miq që ti i kishe pafund, do të donin të ishin pranë teje në këtë ditë për të të prekur me dorë, sy edhe lot.

Por, unë duke i mirëkuptuar dhe i falënderuar, duhet të vendosja atë që doje ti, sepse unë pas ikjes së prindërve, mbeta i vetmi në këtë botë që të preka, të putha dhe përqafova kur “erdhe” dhe “ike” prej saj.

Lamtumirë Altin!

Lamtumirë “o Labo”, i miri i të gjithëve dhe i keqi i vetes nga lindja deri në vdekje.

Lamtumirë vëlla!

Lamtumirë o gjak që të kam në venat dhe zemrën time.

Më prit aty me Astritin dhe Violetën, se do të vij… dhe mos ma mbyll atë derë vëlla”, shkruan Arben Isaraj.