Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku një 48-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda makinës së tij.

Viktima i identifikuar si Lulzim Visha u gjet i vrarë me armë zjarri brenda makinës së tij, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Sipas raportimeve të para, shkak për krimin e rëndë dyshohet të jetë gjakmarrja, pasi ai dyshohet të jetë i përfshirë në një hasmëri të vjetër.

Mësohet se viktima është vëllai i Besnik Vishës, i cili në vitin 1997 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Refik Domi. Krimi ndodhi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Në 29 qershor 2001, Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vite burg, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.

Viktima 48-vjeçar drejtonte automjetin e “Postman”, një kompani postare që shpërndan pako dhe dërgesa në gjithë Shqipërinë. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ai ishte nisur për të shkuar në punë. Policia ka sekuestruar kamerat në zonë, pasi mund të kenë regjistruar momentin e krimit.