Kanë marrë tjetër rrjedhë hetimet mbi vrasjen e 44-vjeçarit shqiptar në Greqi, dy ditë më parë.

Sipas mediave greke, rezultatet e autopsisë sugjerojnë se bëhet fjalë për një vetëvrasje, e jo për vrasje, siç u raportua pasi shqiptari u gjeti qëlluar me pushkë gjahu në një stallë lopësh ku ai punonte, në Messinia (Kallamata) të Greqisë. Kjo pistë u përforcua edhe nga dëshmia e mikut të ngushtë të 44-vjeçarit, i cili kishte deklaruar viktima herë pas here thoshte se kishte ndërmend t’i jepte fund jetës së tij.

44-vjeçari u gjet i qëlluar me një pushkë gjahu, e cila u gjet e fshehur jo larg trupit. Vajza e pronarit të stallës u tha autoriteteve se arma i përkiste babait të saj dhe kur ajo dhe partneri i saj e gjetën 44-vjeçarin të vdekur, u frikësuan dhe vendosën ta fshihnin armën në mënyrë që të mos akuzoheshin, duke shtuar se më pas njoftuan autoritetet.

Gjithsesi, hetimet nuk quhen ende të mbyllura dhe po vijojnë, teksa do pritet konkluzioni përfundimtar.

Sipas burimeve, 44-vjeçari nuk ishte banor i zonës së Kalamatës, por jetonte prej kohësh në rajonin e Korinthit. Ai kishte qenë më herët në vëmendjen e autoriteteve për çështje të drogës, pasi ishte arrestuar për kultivim të bimëve narkotike.