Policia e Elbasanit ka dhënë detaje për vrasjen e 40-vjeçarit Florian Lamçes në Elbasan. Uniformat blu bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një sherri në lagjen “Luigj Gurakuqi”, ku u konfliktuan dy persona të tjerë A.H. 42 vjeç, S.S., 34 vjeç me 40-vjeçarin Lamçe. Sipas Policisë, gjatë sherrit 40-vjeçari është goditur me shishe dhe sende të forta.
Njoftimi i Policisë
Në orët të para të mëngjesit, në lagjen ” Luigj Gurakuqi”, Elbasan , në gjendje të dehur janë konfliktuar duke u dëmtuar me njëri-tjetrin me shishe dhe sende të forta shtetasit A.H., 42 vjeç, S.S., 34 vjeç, dhe F.L., rreth 40 vjeç, banues në Elbasan.
Shtetasi F.L., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Ndërsa dy shtetasit e tjerë të perfshirë në këtë konflikt kanë marrë plagë të lehta dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor vijon punën pēr zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.