Një 58-vjeçare është arrestuar në Tiranë, ndërsa një 27-vjeçare është proceduar në gjendje të lirë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”.

Sipas Policisë, dy gratë dyshohet se mashtronin qytetarë duke u premtuar zgjidhjen e problematikave të pronësisë përmes ndërhyrjeve pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Në këmbim të këtyre premtimeve, ato dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 mijë euro nga persona të ndryshëm.

Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar një shumë parash në euro, që dyshohet se rrjedh nga aktiviteti i paligjshëm, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara, si dhe dy telefona celularë.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin e rasteve të tjera dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.