Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Gjatë votimit, mazhoranca ka mbajtur qëndrim të fortë, duke siguruar 79 vota kundër dhe vetëm 10 vota pro shkarkimit të tij. Ky vendim i Kuvendit ka shkaktuar reagime të forta nga opozita.

Pas votimit, kreu i PD, Sali Berisha, i ka bërë një deklaratë të fortë për mediat, duke sulmuar nënkryetaren e Kuvendit për mënyrën e menaxhimit të procesit të votimit. Berisha akuzoi atë se “nuk merrte vesh çfarë hidhte për votim”, duke theksuar se kjo ishte një përpjekje për të penguar një proces të drejtë dhe të ligjshëm në Kuvend.

“Këta e kanë shndërruar parlamentin në një klub, në të cilin nuk ka asnjë rregull, ka vetëm kaos. Ajo që kryeson sot aty nuk merrte vesh se çfarë hidhte në votim. Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi.

Ka procedurë të sanksionuar në rregullore, por këta nuk njohin rregullore, njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin. E dëgjuat Niko Peleshin se si u përpoq me hipokrizinë më të madhe të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar. Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë parlamenti në botë që të kalojë për 28 minuta dhe të miratohet kabineti i ri dhe programi i saj? Kurrë!
Ka ndodhur ndonjëherë që në seanca të tëra parlamenti të mbyllet brenda disa minutash dhe ka dy muaj që ka nisur punë dhe ka pasur vetëm një ditë punë? Nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Këta vazhdojnë në një kaos të plotë. Flasin përçart. Do ta bëj parlamentin evropian, dëgjoni se cili është standardi evropian, në një kohë kur parlamenti ka delinkuentë sa çdo burg tjetër i vendit.“, tha Berisha.