Autoritetet britanike kanë dënuar me 20 muaj burg, një student shqiptar, i cili kishte hyrë në Britaninë e Madhe me vizë turistike. Ai u kap duke kultivuar kanabis në një fermë të madhe në verilindje të Anglisë.

Musa Qaushi, 20 vjeç, u arrestua pasi policia zbuloi një fermë kanabisi në një banesë në Ivanhoe Crescent, Sunderland. Aty u gjetën 351 bimë kanabisi të shpërndara në katër dhoma kultivimi.

Sipas gjykatës, droga e sekuestruar kishte një vlerë të përllogaritur deri në 88,500 paund. Prokuroria deklaroi se Qaushi kishte rolin e “kopshtarit rezident”, duke u kujdesur për bimët dhe ambientet e kultivimit në këmbim të pagesës dhe strehimit.

Mediat shkruajnë se në seancën në Gjykatën e Kurorës në Newcastle, gjyqtari Edward Bindloss tha se Qaushi kishte një rol të rëndësishëm në funksionimin e fermës.

“Ti po kultivoje kanabisin duke luajtur rolin e kopshtarit rezident. Po paguheshe për këtë rol dhe të jepej edhe akomodimi”, u shpreh gjyqtari.

Gjykata mësoi se Qaushi është student në një universitet në Tiranë dhe është në vitin e dytë të një programi pesëvjeçar studimi. Ai nuk kishte precedentë penalë dhe, sipas mbrojtjes, kishte qenë vetëm disa ditë në fermën e kanabisit.

Avokatja e tij, Mairi Clancy, tha se klienti i saj ishte penduar dhe emocionalisht i prekur nga situata.

Megjithatë, gjyqtari nuk pranoi argumentin se ai kishte qenë thjesht naiv. Sipas tij, përmasat e operacionit tregonin se Qaushi ishte në dijeni të aktivitetit ku ishte përfshirë.

Ai shtoi se këto lloj aktivitetesh nuk mund të funksionojnë pa persona që kujdesen për kultivimin e bimëve dhe se ky ishte pikërisht roli i Qaushit, edhe pse ai mund të mos kishte pasur ndikim mbi personat e tjerë të përfshirë.

Pas dënimit me 20 muaj burg, gjyqtari deklaroi se priste që autoritetet britanike të ndërmerrnin procedurat për dëbimin e tij si person i dënuar për vepër penale.