Altin Celami është ish-ushtaraku i arrestuar pasi akuzohet se furnizon grupet kriminale me armë.

46-vjeçari, banues në Tiranë, ishte implikuar edhe më parë për të njëjtin aktivitet kriminal. Altin Celami i arrestuar edhe në vitin 2022, si person i dyshuar se ndihmonte dhe furnizonte me armë grupet kriminale. Për këtë arsye ishte pezulluar nga funksionet ushtarake në repartin e Pezë Helmez.

Ai u ndalua sot në “Rrugën e Dibrës”, teksa drejtonte automjetin e tij taksi. Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.