Protesta e dytë kombëtare e opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit u zhvillua mes tensioneve dhe akteve të dhunës, ku pati edhe persona të arrestuar nga policia. Mes tyre, sipas familjarëve, ishte edhe një fëmijë 10-vjeçar, i cili nuk kishte marrë pjesë në protestë, por ndodhej rastësisht pranë zonës ku po zhvilloheshin përplasjet.

Prindërit e të miturit kanë reaguar ashpër, duke deklaruar se djali kishte shkuar te koshat e mbeturinave për të mbledhur plastikë dhe më pas ishte ndaluar nga disa persona civilë pranë xhamisë, ku po lante fytyrën nga gazi lotsjellës. Nëna e fëmijës tha se djali është dhunuar pa asnjë arsye dhe se vetë ai nuk e di pse është ndaluar, ndërsa theksoi se fëmija vuan nga zemra dhe se familja jeton në kushte të vështira ekonomike.

Nëna e 10-vjeçarit tha: Ka shkuar te koshat se merrte ndonjë plastikë dhe gjëra dhe i kanë shkuar katër civilë dhe e kanë kapur te xhamia, kur po lante fytyrën me ujë te xhamia. Djali më tha se nuk e dinte pse e kanë rrahur, ç’ke me mua’, i ka thënë. ‘Ke gjuajtur policinë, i kanë thënë ata’. Çfarë shteti është ky që më rreh fëmijën kot, pa lidhje? Unë me zor e rris, ku me bukë ku pa bukë, jo ta rrafin pa lidhje një fëmijë. Ai është i sëmurë me zemër.

Edhe vetë 10-vjeçari ka deklaruar se u shoqërua me pranga dhe u dhunua nga persona civilë, teksa ndodhej në xhami. Ai tregoi se u mbajt për një kohë dhe iu plotësuan disa dokumente, ndërsa më pas, sipas tij, disa deputetë kanë ndërhyrë dhe e kanë nxjerrë jashtë. Familjarët kërkojnë sqarime dhe përgjegjësi për ngjarjen, duke këmbëngulur se fëmija ishte plotësisht i pafajshëm.

10-vjeçari tha: Isha te xhamia, isha pa mendje. Më morën, më futën në pranga dhe më kanë rrahur. Isha duke larë fytyrën prej gazit. Më erdhën pesë civilë, më futën në pranga, më ulën poshtë xhamisë, më goditën dhe më sollën këtu. Se di çfarë bëhet, më bënë ca letra. Më erdhën ca deputetë që më nxorën përjashta.