Një shtetas shqiptar, i cili ndodhej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, është arrestuar nga autoritetet britanike pasi u zbulua i fshehur në papafingon e një shtëpie të përdorur për kultivimin e kanabisit.

Ngjarja daton në muajin shkurt, kur policia ndërhyri në një pronë në Leopold Street, në zonën e Jarrow, South Tyneside. Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan 158 bimë kanabisi të kultivuara në katër ambiente të ndara brenda banesës.

Sipas të dhënave të paraqitura në Gjykatën e Kurorës në Newcastle, prodhimi i paligjshëm mund të arrinte një vlerë tregu deri në 39 mijë paund.

Prokurori Kevin Wardlaw deklaroi se i arrestuari, Ramazan Lami, nuk kishte precedentë penalë, por gjithashtu nuk gëzonte të drejtën për të qëndruar në territorin britanik, raportojnë mediat vendase.

Vetë Lami ka pranuar përfshirjen në kultivimin e kanabisit, ndërsa në seancë u theksua se ai kishte rolin e “kopshtarit” në këtë aktivitet të paligjshëm. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Jason Smith argumentoi se klienti i tij kishte hyrë ilegalisht në Britani pasi i ishte premtuar një jetë më e mirë, por realiteti rezultoi krejt ndryshe.

Sipas mbrojtjes, Lami ishte fshehur në papafingo dhe kishte deklaruar se kishte qëndruar aty vetëm për disa orë përpara se të zbulohej nga policia. Ai e ka përshkruar periudhën në paraburgim si tepër të vështirë, ndërsa pritet të deportohet në mënyrë vullnetare.