Policia e Lucernës në Zvicër ka arrestuar një 49-vjeçar shqiptar, i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan rreth 2.7 kilogramë kokainë dhe afërsisht 30 gramë heroinë.

49-vjeçari u arrestua më 12 gusht në Emmenbrücke, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Lucernës. Mediat zviceriane shkruajnë se shqiptari kishte hyrë ilegalisht në Zvicër në fillim të muajit gusht dhe dyshohet se kishte ardhur në vend me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se para arrestimit, ai dyshohet se kishte shitur kokainë dhe heroinë te të paktën 20 persona. Sipas hetuesve, një pjesë e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal ishte transferuar në një llogari bankare në Shqipëri.

Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi rreth 2.7 kilogramë kokainë dhe gati 30 gramë heroinë. Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari kishte qëndruar kryesisht në Zvicrën Qendrore. Hetimet e policisë çuan në identifikimin e tij dhe më pas në arrestimin në Emmenbrücke.

Çështja po hetohet nga Prokuroria Publike e Emmenit, e cila po drejton procedurën penale. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit apo origjinën e saktë të lëndëve narkotike. 49-vjeçari konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.