Autoritetet italiane kanë bërë me dije identitetin e shtetasit shqiptar të arrestuar më 9 tetor në Romë, i dyshuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për Kristian Prenin, 23 vjeç.

Sipas burimeve hetimore, Preni u kap në flagrancë nga karabinierët teksa po ecte në rrugë, duke mbajtur me vete një çantë në të cilën ishte fshehur një shumë prej 30.000 eurosh. Arrestimi u pasua nga një kontroll në banesën e tij, ku autoritetet italiane sekuestruan plot 200 kilogramë kokainë, një armë zjarri tip pistoletë dhe dokumentacion shtesë që mund të lidhet me aktivitetin kriminal.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë trafik dhe për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse ligjore. Preni ndodhet aktualisht në paraburgim në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata italiane.