Violinisti shqiptar Beng Bakalli është dënuar nga drejtësia franceze pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme kokaine në automjetin e tij. Gjykata i ka caktuar 3 vite burg, si dhe një gjobë prej 1.1 milion eurosh.

Sipas mediave franceze, masa financiare është përllogaritur në bazë të vlerës së rreth 38.3 kilogramëve kokainë që autoritetet sekuestruan gjatë operacionit. Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të rëndë, prej gjashtë vitesh burg, por gjykata vendosi përfundimisht përgjysmimin e kësaj mase.

Bakalli, i cili ishte pjesëtar me kohë të pjesshme i Orkestrës Simfonike të Bourgogne-Franche-Comté, ra në prangat e autoriteteve më 10 gusht, pranë kufirit mes Francës dhe Italisë.

Violinisti po udhëtonte me një Citroën C5 Aircross kur u ndalua nga doganierët në pikën e pagesës La Turbie, përgjatë autostradës A8, në departamentin Alpes-Maritimes.

Kontrolli i automjetit zbuloi ngarkesën me kokainë, duke çuar në arrestimin e menjëhershëm të tij dhe nisjen e hetimeve.

Pas ndalimit, autoritetet franceze zgjeruan kontrollet edhe në banesën e Bakallit në Besançon. Aty u gjetën elemente të tjera që u sekuestruan në kuadër të hetimit.

Sipas raportimeve, në shtëpi ndodheshin afro 90 mijë euro cash, kryesisht në prerje të vogla. Autoritetet gjetën gjithashtu katër armë dhe një jelek antiplumb.

Çështja përfundoi në gjykatë, ku violinisti shqiptar u dënua me tre vite heqje lirie dhe gjobën prej 1.1 milion eurosh për trafikimin e lëndës narkotike.