Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e operacionit policor të zhvilluar dy javë më parë në tunelin e Skërficës, në aksin Kardhiq–Delvinë, ku u sekuestruan katër pistoleta tip “Glock” dhe u arrestua 31-vjeçari Kejdi Banaj.

Sipas materialeve hetimore, policia kishte siguruar informacione se Banaj, me një automjet të marrë me qira, po transportonte armë zjarri me destinacion Sarandën.

Dyshohej gjithashtu se gjatë rrugës ai do të merrte rreth 500 gram kokainë në Lushnjë, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në Sarandë. Pas ndalimit të automjetit në tunelin e Skërficës, efektivët gjetën katër pistoletat të fshehura nën tapicerinë e pasagjerit të përparmë, brenda një qeseje të zezë, raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo.

Në dëshminë e dhënë në polici, Banaj është treguar bashkëpunues, duke dorëzuar edhe kodin e telefonit dhe duke identifikuar personin që, sipas tij, i kishte lënë armët në makinë. Ai ka deklaruar se një i njohur, E. S., të cilin e kishte takuar pas disa vitesh, i kishte kërkuar ta shoqëronte në Sarandë për të gjetur një apartament me qira.

Sipas tij, në Tiranë, E. S. dhe kunati i tij morën një qese të zezë pranë autostradës së Kasharit dhe e vendosën në automjetin që drejtonte Banaj, ndërsa vetë u larguan me një makinë tjetër.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, 31-vjeçari ndryshoi pjesërisht qëndrim. Ai deklaroi se është përdorues i lëndëve narkotike prej vitesh dhe pretendoi se nuk kishte qenë i vetëdijshëm për përmbajtjen e qeses.

“Më mori E. S., që e njoh prej rreth 20 vitesh. Më tha të shkonim në Sarandë për të gjetur një shtëpi për pushime. Në Tiranë mori një porosi dhe e futi në makinën time, ndërsa vetë u largua me një automjet tjetër. Vetëm kur më ndaloi policia kuptova çfarë kishte në qesen e zezë”, ka deklaruar Banaj para gjykatës.

Nga hetimet rezulton se E. S., 26 vjeç nga Tirana, është personi i përmendur nga Banaj si organizator i transportit të armëve dhe rezulton i shpallur në kërkim edhe për një ngjarje të ngjashme të ndodhur në muajin mars të këtij viti.

Gjykata caktoi ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.