Një 32-vjeçar shqiptar është dënuar me 2 vite burg në Basildon, pasi u kap me mbi 100 doza droge të ndara gati për shitje.
Shuaip Gjoshi u ndalua nga policia në Rayleigh, ku gjatë kontrollit në makinën e tij u gjetën 99 doza kanabisi dhe 4 doza kokaine. Sipas autoriteteve, vlera në treg e lëndëve narkotike i kalonte 3,200 paund.
Hetimet e Policisë në Essex zbuluan se automjeti kishte lëvizur në zona të ndryshme të Essex-it për rreth 12 orë para ndalimit, duke ngritur dyshime për shpërndarje droge, raportojnë mediat britanike.
32-vjeçari pretendoi se punonte në një piceri dhe kishte qenë gjatë gjithë ditës duke shpërndarë ushqime, por policia gjeti në makinë kanabis në formë bimore, resinë, vape me THC si dhe kokainë, të gjitha të ndara në doza të vogla për shitje. Atij iu sekuestruan edhe 962 paund cash.
Në gjykatë u bë e ditur se Gjoshi kishte shkuar në Angli me vizë për të gjetur punë si elektricist, por për shkak të vështirësive ekonomike dhe mungesës së mbështetjes, kishte përfunduar i përfshirë në aktivitet kriminal.
Avokatja mbrojtëse deklaroi se ai kishte marrë borxhe për të përballuar jetesën dhe ishte ndjerë i detyruar të merrej me shpërndarje droge për t’i shlyer ato, duke theksuar se bëhej fjalë për një rast të izoluar dhe se klienti i saj kishte pranuar gabimin.
Gjykatësi theksoi se, për shkak të statusit të tij si person që kishte tejkaluar afatin e vizës dhe mungesës së një strukture mbikëqyrjeje në komunitet, dënimi me burg ishte i pashmangshëm. Ai i uroi gjithashtu që të rifillojë jetën pas përfundimit të dënimit.
