Detaje të reja kanë dalë në dritë për 19-vjeçarin turk të arrestuar në Greqi, i cili kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare. I riu dyshohet se fshihet pas plagosjes me armë të një 36-vjeçari turk në Tiranë, në muajin mars.
Bëhet fjalë për ngjarjen e 9 marsit në zonën e Saukut, ku mbeti i plagosur Halil Uçar. Sipas të dhënave të hetimit, viktima dhe 19-vjeçari ndodheshin në të njëjtin lokal, por në tavolina dhe kate të ndryshme.
I riu dyshohet se fillimisht kishte qëndruar dhe darkuar në katin e parë të lokalit. Më pas ai është ngjitur në katin e dytë, ku ndodhej Uçar, dhe dyshohet se ka hapur zjarr ndaj tij.
Një prej plumbave e goditi 36-vjeçarin në shpatull, ndërsa autori i dyshuar u largua menjëherë nga lokali. Pas hetimeve, autoritetet shqiptare e shpallën 19-vjeçarin në kërkim ndërkombëtar.
Arratia e tij përfundoi në Greqi, ku policia e ndaloi gjatë një kontrolli në aksin Kalamata-Pylos. Në automjet me të ndodheshin edhe dy shtetas të tjerë turq, të moshës 21 dhe 22 vjeç.
Kontrolli i makinës zbuloi edhe lëndë narkotike. Sipas autoriteteve greke, u sekuestruan 14.7 gramë marijuanë dhe një sasi e vogël kokaine, të cilat dyshohet se posedoheshin nga tre të rinjtë.
Probleme u konstatuan edhe me dokumentacionin. Policia greke bëri të ditur se dokumentet e paraqitura nga 19-vjeçari dhe 22-vjeçari ngritën dyshime për autenticitetin e tyre. Verifikimet treguan gjithashtu se të dy ndodheshin në territorin grek në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit u sekuestruan katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.
Vetëm pas verifikimit të të dhënave të 19-vjeçarit rezultoi se ndaj tij ishte lëshuar një Njoftim i Kuq i Interpolit, me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ai kërkohej për veprat penale që lidhen me tentativën e vrasjes dhe mbajtjen e përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.
Autoritetet greke po vijojnë procedurat për rastin, ndërsa pritet të ndiqen hapat ligjorë që lidhen me kërkesën ndërkombëtare të autoriteteve shqiptare ndaj 19-vjeçarit.
