Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Marsel Varkën, Elsaed Maqinajn, Fabian Zakon dhe Kristaq Bibën të akuzuar për trafik armësh.

Këta të fundit ishin vënë në pranga pak ditë më parë, pasi u kapën duke transportuar armë. Gjatë seancës, të pandehurit nuk kanë folur dhe kanë qëndruar në heshtje para trupit gjykues. Përveç tyre, në kërkim u shpallën Kevin Vila dhe Bledar Avdillari, ndërsa më herët janë vënë në pranga Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa, pjesë e të njëjtit grup.

Në këtë operacion, gjatë kontrolleve të kryera, policia sekuestroi 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe municion luftarak dhe prova të tjera materiale. Sipas Policisë, gjatë gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve të ndërmarra për goditjen e këtij grupi, janë arrestuar gjithsej 9 persona, ndërsa janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi të mëdha municioni, 4 automjete dhe 13 telefona celularë.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale, ndërsa puna vazhdon edhe për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.