Gjykata e Posaçme ka dënuar me nga 1 vit burg Denis Xholin dhe Albjon Çekun, të arrestuar më herët në dyshimin e korrupsionit në zgjedhjet e prillit në Dibër.

Ata u kapën me vlera monetare nga qytetarët në Dibër, konkretisht nga kandidati i PD, Luan Haka dhe mbështetësit e PD më 22 prill.

Asokohe, policia tha se “në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, policia sekuestroi një shumë lekësh, të projektuar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik”.

Drejtuesi politik i PD në Dibër, Xhelal Mziu pretendoi atëherë se paratë po shpërndaheshin për të siguruar vota për kandidatin e PS, Melaim Damzi. Kjo deklaratë u përgënjeshtrua më vonë nga Shtabi Elektoral i PS Dibër./ ABC