4 persona janë vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë për shkak se janë konfilktuar me Policinë. Fillimisht është arrestuar një 20-vjeçar, i cili ka përpasur një makinë policie me mjetin e tij, teksa po kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Po ashtu në pranga është vënë dhe një 42-vjeçar, i cili pasi kishte kryer parkim të paligjshëm, i ka shkelur këmbën efektives së Policisë me gomën e makinës. Në pranga janë vënë dhe dy të mitur 16 vjeç, të cilët kishin thyer masën e sigurisë arrest shtëpie.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. S., 20 vjeç, pasi në rrugën “Dervish Hima” është konstatuar duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë. 20-vjeçarit në momentin që i është bërë shenjë ndalimi ka rritur shpejtësinë e automjetit dhe ka përplasur automjetin e policisë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë në detyrë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin J. H., 42 vjeç, pasi është konstatuar se kishte parkuar automjetin në menyrë të parregullt duke penguar lëvizjen. Në momentin që i është kërkuar ta lëvizë automjetin, ai ka kundërshtuar dhe në tentativë për tu larguar, me gomën e automjetit i ka shkelur këmbën punonjëses së policisë në detyrë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan dy shtetas të mitur 16 vjeç, pasi janë konstatuar jashtë banese, në cënim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. 2 të miturit nuk i janë bindur urdhërit të punonjësit të policisë, njëri prej tyre i ka kundërshtuar me qëllim shmangien e shoqërimit në Komisariat;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit e mitur 17 vjeç, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar me shtetasin R. B. Gjatë shoqërimit, njëri prej të mitur ka goditur punonjësen e policisë.