Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimet për mungesë mjekësh në urgjencën e Spitalit të Kefalonia, pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 19-vjeçarja Myrto, me origjinë shqiptare.

Rasti është nën hetim nga komandanti i Rajonit të 6-të Shëndetësor, Elias Theodoropoulos, pas dyshimeve të ngritura se në momentet e para të mbërritjes së ambulancës mund të ketë pasur mungesë stafi dhe vonesa në ndërhyrjen e mjekëve specialistë. Megjithatë, burime spitalore i kanë mohuar këto pretendime, duke deklaruar se ekipi mjekësor ka reaguar menjëherë dhe ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme.

Sipas informacionit zyrtar, ambulanca e EKAB mbërriti në urgjencë pak para orës 05:00 të mëngjesit, me 19-vjeçaren në gjendje kritike pasi ishte gjetur pa ndjenja në sheshin qendror të Argostoli. Ajo ishte transportuar nga ekipet e shpëtimit pasi, sipas hetimeve, ishte braktisur më herët në vendngjarje nga tre persona të dyshuar.

Në spital, mjekët dhe infermierët kanë kryer reanimim kardiopulmonar për rreth një orë, si dhe intubim dhe trajtim me medikamente urgjente, por pa sukses. Më pas u konstatua se pacientja kishte pësuar arrest kardiak. Sipas burimeve mjekësore, ekzaminimi mjeko-ligjor në Patra ka evidentuar edemë pulmonare, ndërsa analizat toksikologjike dhe histologjike pritet të përcaktojnë shkaqet përfundimtare.

Në një reagim në rrjetin X, Georgiadis deklaroi se mjeku i turnit dhe specialistët janë aktivizuar brenda minutave, duke theksuar se kardiologu ka mbërritur në urgjencë në më pak se dy minuta, ndërsa anesteziologu në pak minuta më vonë. Ministri shprehu ngushëllime për familjen, ndërsa theksoi se të gjitha procedurat janë ndjekur sipas protokollit, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar të renë.