Mëngjesin e sotëm, pak para orës 10:00, 40-vjeçari Pandeli Nakoleci ka dalë para gjykatës greke, pas vrasjes së bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci.

Ai nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje të gazetarëve, ndërsa roja i hapi rrugën që të kalonte. Në fakt, për të shmangur linçimin nga turma e zemëruar që ishte mbledhur, 40-vjeçari hyri në gjykatat e Volosit nga dera e pasme, ndërsa mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Në të njëjtën kohë, në orën 11:00, do të zhvillohet në vendin tonë funerali i nënës 36-vjeçare që humbi jetën në hyrje të pallatit ku jetonte me 40-vjeçarin në Volos. Vajza e madhe e çiftit “premtoi” se do i vishte një fustan të bardhë në mënyrë që nëna e saj e ndjerë të ishte e bukur në udhëtimin e fundit.

40-vjeçari, i cili ka pranuar vrasjen, synon të përmendë tentativën e tij të fundit për vetëvrasje në fillim të verës, si dhe izolimin e tij në një klinikë psikiatrike, duke deklaruar se dëshiron një mendim eksperti psikiatrik. Në dëshminë e tij, ai i mohon kategorikisht akuzat e fëmijëve të tij se ka ushtruar dhunë sistematike ndaj nënës së tyre, duke pretenduar se nuk është akuzuar kurrë për dhunë në familje.

Fillimisht ai dukej i papenduar, por tani deklaron pendim, duke kërkuar falje dhe duke pretenduar se e vrau gruan e tij “në një moment tërbimi “. Siç thuhet se dëshmoi ai, martesa e tyre ishte shkatërruar që nga Pashkët e kaluar, kur mësoi për lidhjen jashtëmartesore të 36-vjeçares.

Duke përshkruar ditën fatale, ai tha se rrëmbeu nga ballkoni një mjet të mprehtë që përdorej në familje për barbeque dhe sulmoi gruan e tij, duke pretenduar se “nuk e kuptoi” se si e vrau atë. Po ashtu thuhet se ka deklaruar se do të kishte preferuar të kishte qenë në vendin e gruas së tij, duke zbuluar se kishte menduar t’i jepte fund jetës në burg.